Parqet e Dinarideve – Rrjeti i zonave të mbrojtura të Dinarideve, në bashkëpunim me SH.P.K. Monumenti i Natyrës Kanioni i Cemit dhe organizatën Malesia Adventure, organizojnë një ekskursion edukativ për fëmijët në zonën e mbrojtur Kanioni i Cemit.
Ekskursioni u dedikohet fëmijëve të Shkollës Fillore „Gjergj Kastrioti Skenderber“ nga Trieshi, një vend që ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë të zonës së mbrojtur, me synim që, përmes qëndrimit në natyrë, shëtitjes dhe bisedës me ekspertë, të njohin më mirë vlerat natyrore dhe kulturore të Kanionit të Cemit, hapësirës së cilës i përket edhe komuniteti i tyre lokal. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kuptimit të një zone të mbrojtur, arsyeve pse Kanioni i Cemit është i mbrojtur dhe mënyrave se si secili prej nesh mund të kontribuojë në ruajtjen e vlerave të tij.

Nisja është planifikuar në orën 9:00 para shkollës në Triesh, nga ku për fëmijët dhe mësuesit do të organizohet transporti deri te Cemi. Gjatë ekskursionit, fëmijët do të ecin në një pjesë të ish-rrugës së karvanëve përgjatë Cemit dhe në terren do të njihen me botën bimore dhe shtazore të kanionit, me theks të veçantë te gjitarët që banojnë në këtë zonë të mbrojtur. Përmes rrëfimit për ish-rrugën e karvanëve, ata do të njihen edhe me trashëgiminë kulturore, traditën dhe mënyrën e jetesës së kësaj treve.
Për të gjithë pjesëmarrësit do të sigurohen transporti i organizuar dhe freskimet, ndërsa fëmijët do të marrin edhe bluza dhe broshura edukative në të cilat paraqiten vlerat më të rëndësishme natyrore dhe kulturore të Kanionit të Cemit.
Ekskursioni është konceptuar si një mundësi që fëmijët nga komuniteti lokal, përmes përvojës së drejtpërdrejtë dhe qëndrimit në natyrë, të njohin më mirë zonën e mbrojtur në mjedisin e tyre të afërt, të kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së saj dhe të zhvillojnë ndërgjegjësimin për rolin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Kanionit të Cemit.
